Sunday, April 29, 2012

Florin Besimi, investimet që nga viti 2008 e këndej kapin shifrën prej 10 milionë eurove dhe të njëjtat janë në funksion të krijimit të kushteve më të mira për pacientët.


Spitali Klinik i Tetovës katër vite pas themelimit si duket ka marrë formën siç e kanë klinikat e Shkupit. Në këtë spital punojnë rreth 170 mjekë dhe shërbime marrin rreth 300 mijë banorë e më gjerë, procesi i formësimit si spital klinik shkon shumë ngadalë por sigurt. Ish-drejtori i këtij spitali dhe kryetar i Komisionit shëndetësor i Bashkimit Demokratik për Integrim Atilla Rexhepi dhe drejtori aktual Florin Besimi, shprehen se Spitali Klinik i Tetovës për t’u konsoliduar ashtu siç është në letër, nevojiten shumë parametra, por të dy ndajnë mendimin se ky proces ecën ngadalë. Të dy mjekët theksojnë se ka përparime dhe gjendja nuk është në nivelin zero dhe se punët kanë filluar për së mbari.
ish drejtori I Spitalit tw Tetovws Atilla Rexhepi thekson se viteve të fundit është ecur përpara në drejtim të sjelljes së pajisjeve dhe krijimit të kushteve më të mira për punë. “Ndonëse me vonesë të caktuar, por megjithatë lëvizjet në aspektin pozitiv gjithnjë do të jenë në funksion për të pasur një spital në kuptimin e përgjithshëm, që do të jetë koherent dhe do të përmbush kërkesat dhe nevojat e banorëve dhe popullatës së këtushme”, thotë ish-drejtori Atilla Rexhepi, njëkohësisht edhe kryetar i Komisionit për shëndetësi në BDI.
Drejtori aktual në Spitalin Klinik të Tetovës, Florin Besimi, thotë se investimet që nga viti 2008 e këndej kapin shifrën prej 10 milionë eurove dhe të njëjtat janë në funksion të krijimit të kushteve më të mira për pacientët. “Nëse flasim për Spital Klinik në kuptimin e plotë, mund të them se Spitali Klinik i Tetovës tashmë e meriton që të jetë klinikë në saje të punës, investimeve në të shkuarën e afërme që janë bërë. Kjo kërkon përkushtim dhe ne dita ditës përmirësohemi falë investimeve në objekte, aparaturës moderne, pajisjeve për personelin mjekësor, aftësimin dhe profilizimin e kuadrit shëndetësor”, deklaron Besimi. Ai shprehet se së fundmi është para finalizimit edhe Qendra e diagnostifikimit. “Për nevojat e Spitalit janë sjellë dy aparate, njëri është për Tomografi të kompjuterizuar dhe aparati për Rezonancë magnetike. Të dy aparatet shumë shpejt do të jenë në funksion dhe të përdorshëm. Pikërisht me aktivizimin e këtyre dy aparateve do të ndalim pacientët në Tetovë dhe nuk do të ketë nevojë për shkuarje në Shkup”, thotë drejtori Besimi.
Ndërtimi dhe lëshimi në funksion i Qendrës së Diagnostifikimit nuk është në kushtet për të qenë Spital Klinik, por i bashkëngjitet këtij spitali në përmirësimin e dhënies së shërbimeve mjekësore. Njohësit e rrethanave shëndetësore në vend, pohojnë se një theks të veçantë në sferën e shëndetësisë është edhe specializimi i kuadrit, si parakusht për të pasur një shëndetësi të volitshme. Për edukimin, profesionalizimin dhe specializimin e kuadrit mjekësor, nevojiten vite të tëra, ndërsa në këtë drejtim aktualisht janë dërguar mjek për specializim në spitalin e Tuzllës dhe në Shkup. “Bëhet fjalë për 40 mjekë të cilët janë në specializim në këto dy spitale dhe pritet që në të ardhmen të luajnë rol të rëndësishëm funksionimin më të mirë të spitalit dhe në dhënien e shërbimeve mjekësore në Spitalin Klinik të Tetovës, për çka edhe është i akredituar ky spital. Në këtë drejtim kemi edhe Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë në USHT, dhe presim që të kemi kuadër që do të kyçen në spital. Megjithatë këto janë procese që nuk bëhen brenda natës por duhet kohë”, thotë ish-drejtuesi i Spitalit Klinik të Tetovës, Atilla Rexhepi. Në këtë drejtim, me qëllim të përmirësimit të kualitetit të shërbimeve të Spitalit të Tetovës, para tre jave një delegacion i Spitalit Klinik të Tetovës i përbërë nga drejtori Florin Beisimi, Atilla Rexhepi dhe dekani i Fakultetit të Mjekësisë, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Spitalin Klinik të Tuzllës. “Qëllimi i kësaj marrëveshje më së tepërmi ka të bëj me shkëmbimin e përvojave dhe kuadrit. Spitali Klinik i Tetovës, me gjithë sfidat që ka hasur në të kaluarën, tashmë krijon kapacitete për funksionim të kompletuar, kurse ngelet që në të ardhmen si drejtori ti kushtojmë rëndësi edhe aspektit të ngritjes arsimore të kuadrit mjekësor”, thotë drejtori Florin Besimi. Ai shpreson se në vitin 2012 përfundimisht ky spital do të meritojë epitetin e Spitalit Klinik në bazë të investimeve dhe aparaturës. Ndryshe, si qendër klinike Spitali i Tetovës është themeluar gjatë vitit 2008, ndërsa si Institucion shëndetësor "Qendra Medicinale" Tetovë është themeluar nga Këshilli i Komunës së Tetovës në vitin 1966 dhe si i tillë ka funksionuar deri në vitin 2005 pas ndarjes në dy subjekte juridike, Spitali i përgjithshëm dhe Shtëpia e shëndetit Tetovë.

No comments:

Post a Comment